« Peshku, ushqimi që na bën të jetojmë 100 vjeç | HomePage

26.11.2007

Lajme të rralla

Gjykata ndalon gjyshen t’iu japë ëmbëlsira nipërve

Një gjyshe e ka të ndaluar ligjërisht t’iu japë ëmbëlsira nipërve dhe mbesave, pasi ata kanë probleme me dhëmbët. Gjyshja me emrin E.M. hodhi në gjyq vajzën e saj, pasi ajo e ndalonte të shihte 4 fëmijët e saj. Sherifi tha se E.M. iu çonte dy çanta plot me karamele sa herë i vizitonte. Atëherë gjykata i dha leje gjyshes t’i vizitonte fëmijët një herë në muaj, me kushtin që të mos iu jepte asnjë ëmbëlsirë. Atëherë kur vajza e saj e ndaloi t’i vizitonte edhe një herë në muaj dhe kontaktet u shkëputën në mars të vitit 2006, gjyshja iu drejtua gjykatës. Justifikimi i mamasë ishte se dy fëmijët e mëdhenj kishin vuajtur nga problemet me dhëmbët dhe kishin hequr disa dhëmbë. Ende nuk është vërtetuar se fëmijët i kanë hequr dhëmbët për shkak të ëmbëlsirave të gjyshes.

.......

Teksas, qyteteza me një shtëpi shitet për 3.8 milionë dollarë

Një milioner i panjohur në Itali sapo ka blerë një qytezë me një ndërtesë në Teksas për 3.8 milionë dollarë. Askush nuk jeton për momentin në qytezën prej 13 akrash me emrin Albert, rreth 60 milje në veri të San Antonios, por taverna e një dyqani të vjetër është hapur prej kohësh. Qyteti ka edhe një holl kërcimi 85-vjeçar, një strehë traktorësh, një shtëpi me tri dhoma, plus një pjeshkë dhe një arrë amerikane. Por para se i zoti i qytetit, Bobby Cave të firmosë marrëveshjen përfundimtare, ai duhet të sigurohet se oferta në adresën e ankandeve “eBay” është e ligjshme. Çmimi fillestar ishte 2.5 milionë dollarë, por u rrit në 3.8 milionë dollarë. Bridgeville, në Kaliforninë veriore ishte qyteti i parë i shitur në “eBay”. 83 akrat u shitën dy herë në të njëjtin sait, në vitin 2002 dhe një vit më vonë.

.......

Gjobitet 3100 dollarë se qeni kafshon pemët

I zoti i një qeni pitbull në Pensilvani do të paguajë 3100 dollarë, pasi ushqimi i preferuar i kafshës së tij janë lëvoret e pemëve. Këtë verë, Tyler Port e la të lirë qenin e tij, Rossma të shëtisë në park. Qeni me sa duket kishte zakon të përtypte lëvoret e pemëve. Port u padit menjëherë se dështoi ta mbante qenin nën kontroll. John Iorio, avokati që ka paditur qenin thotë se kërkon edhe 3100 dollarë të tjerë, për të mbuluar shpenzimet e tre pemëve të akacies. Port, 22-vjeçar thotë se qeni i tij është “magjepsur” pas pemëve dhe i pëlqen të kruajë dhëmbët në lëvoren e tyre. “Fëmijët vrapuan pas tij, prandaj unë e lejova”, thotë Port. “Sapo dikush u ankua, qeni e kuptoi dhe u largua nga pemët”, shton ai. Port kërkon nga gjykata të arrihet një rrugëzgjidhje.

.......

Makina me pedale, më e gjobitura në Toronto

Një automjet, i cili funksionon me pedale, gjobitet vazhdimisht nga policia, duke qenë automjeti më i gjobitur në rrugët e Torontos. Makina, një “Buick Regal” e vitit 1986, nuk ka motor, as transmision dhe asnjë sinjal, kjo është arsyeja pse i zoti i saj gjobitet çdo ditë. Makina fillimisht ndodhej në ekspozitën “Mercen Union”, por i zoti i saj mendoi se do të ishte më ekonomike se të tjerat dhe do të ishte më e vlefshme jashtë ekspozitës dhe kërkon ndihmën e gjykatës për të anuluar gjobat e marra. Artisti Michel de Broin thotë se ky automjet është ekspresioni i paradoksit, makina luksoze amerikane që funksionon me pedale, ose shpreh të drejtën për të pedaluar kundër të drejtës për të pedaluar një makinë.



1-vjeçari bie nga kati i tretë, shpëton pa asnjë gërvishtje

Një vogëlush, i cili shkoi këmba-dorës deri në dhomën e gjumit dhe u zvarrit në dritaren e katit të tretë ndërkohë që familja festonte “Ditën e falënderimeve”, ra në çatinë e dyqanit dhe jo vetëm që është gjallë, por nuk ka asnjë kockë të thyer. Brandon Prieber thotë se djali i tij 14-muajsh, Bradley ra nga dritarja e dhomës së gjumit të apartamentit të tetos në Brooklyn, SHBA. Të afërmit, të cilit ishin mbledhur në shtëpi gjatë kësaj kohe mendonin se dritarja ishte e mbyllur dhe askush s’e kishte vënë re mungesën e djalit. “Bradley ra nga kati i tretë mbi çatinë e një dyqani muzikor poshtë ndërtesës”, shkruhet në raportin e policisë. Babai i 1-vjeçarit, Priebe u tha policisë se djali nuk kishte pësuar asnjë goditje pas rënies, madje ai nuk i kishte vënë re asnjë gërvishtje. Vogëlushi ishte në gjendje të mirë shëndetësore edhe pasi kontrollit të mjekëve në spital. “Është një mrekulli”, thotë Anna Priebe, mamaja e djalit.

Këputet një copë nga krahu i avionit, piloti vazhdon udhëtimin

Një copë e krahut të një avioni pasagjerësh në Indonezi u shkëput, por avioni qëndroi përsëri në ajër. Të 144 personat zbritën shëndoshë e mirë në tokë kur avioni u ul në të njëjtën pistë nga ishte ngritur. Piloti “Boeing 737-400”, që operonte nga “Batavia Air” i uli shëndoshë e mirë të 138 pasagjerët dhe 6 anëtarët e ekuipazhit, edhe pse avioni kishte një pjesë mangët. Zëdhënësi i linjës ajrore tha se avioni edhe mund ta kishte vazhduar udhëtimin pa copën e krahut, por piloti vendosi të kthehej në aeroport.

Gratë e firmës së veshmbathjeve punojnë me këmisha nate

Një kompani veshmbathjesh në Tajvan i inkurajoi punonjëset femra të punonin me këmisha nate në 21 nëntor, duke e quajtur ditën si “Dita e këmishave për gra”. Qëllimi i kësaj feste ishte për të festuar rekordin e shitjeve të dy muajve të fundit. “E kemi pritur këtë ditë gjithë muajin”, thotë një punonjëse. Për shumë se 90 për qind e femrave e pranuan sfidën. Zhang Yufend, 32-vjeçarja nënë e dy fëmijëve pranoi: “Kam qenë në dietë për t’u përgatitur për këtë ditë. Meshkujt sot ishin shumë të sjellshëm me ne”.



Shërbimi dentar më i mirë në botë

Kailesh Solanki, i cili është dentist në Traffort, ka marrë masa ekstreme për të qetësuar nervat e pacientëve. Ai kombinon terapinë e aromaterapisë, manikyrit, kufjeve me muzikë dhe pamjet vizuale të filmave artistikë. Të gjitha këto ndodhin kur pacienti është ulur në ndenjëse dhe dentisti punon. Praktika e tij, “Kissdental”, ka fituar titullin “Praktika më e mirë e vitit”. Për pacientët që kanë me dhjetëra orë punë në klinikën “Flixton”, Kailesh ka ndërtuar një vidiotekë me filma. Ata që kanë vetëm takime të shkurtra mund të shohin pjesë filmime nga serialet “Friends” dhe “Only Fools and Horses”. Prandaj në vend të dhimbjes, problemi më i madh për pacientët do të jetë ai si t’i shpëtojnë të qeshurave. Trajtimi novator i Kalilesh u ka pëlqyer pacientëve, të cilët qëndrojnë edhe më shumë në kafen e klinikës. Kailesh, 27-vjeçar, ka filluar të praktikojë shërbimet manikyrit dhe pedikurit tek pacientët dy vite më parë. Ai thotë: “Disa pacientë janë shumë të trembur. Shtatëdhjetë përlind e atyre që shfaqen në derë shtangin nga frika. Ndoshta kanë patur eksperienca të këqija në të kaluarën dhen nuk kanë kurajën të ulen në ndenjësen e dentistit”. Kailesh përdor kufje që shuajnë 80 për qind të zhurmës së turjelës, ndërsa filmat pacientët i shikojnë përmes një palë syzeve speciale, të cilat pacientit i duket sikur ndodhet para ekranit. “Ndjehem mirë kur pacientët kthehen përsëri gjashtë muaj më vonë duke buzëqeshur”, thotë ai.

.......

Goditet nga e fejuara se s’kishte flokë

Një burrë u rrah dhe u grabit nga e fejuara dhe vjehrrit në Indi, pasi ata zbuluan se ai ishte qeros dhe mbante paruke. Prahbir Das, nga Dispur në Assam, u tha policisë se e fejuara i kishte hequr parukën pas darke dhe filloi ta godiste se i kishte fshehur faktin se ishte tullac. Edhe prindërit e saj u bashkuan me të, duke i grisur parukën dhe duke i marrë 33-vjeçarit kuletën, telefonin celular, motoçikletën si “dënim për mashtrimin. Zoti Das kishte nxjerrë njoftimin në gazetë për një nuse, por s’kishte treguar gjithë të vërtetën.

.......

Ushtari britanik martohet në distancë

Një ushtar që shërben me Ushtrinë Britanike në Basra, është “martuar” me të dashurën e tij, edhe pse çifti ndodhet me mijëra kilometra larg njëri-tjetrit. Ceremonia e çuditshme u organizua në një tendë në shkretëtirën irakene. E dashura e tij, 21-vjeçarja Josephine Aggrey, mori pjesë nën një ceremoni tradicionale në Ghana. Vikari bëri fjalimin normal dhe vëllai i LBdr Lomotey-t qëndronte pranë saj dhe vendosi unazën në gisht. Në të njëjtën kohë në Basra, shokët e regjimentit, me një grumbull tullash të cilave u kishin veshur një palë rroba plazhi në vend të Josephine-s, organizuan ceremoninë e tyre.



Rekordi i mesazheve: 45 sekonda për 160 karaktere

Një adoleshent në Zelandën e Re ka thyer rekordin duke shkruar me sy mbyllur një mesazh me 160 karaktere për 45 sekonda. Elliton Nicholls 17-vjeçar, theu rekordin e mëparshëm prej 83 sekondash dy herë, duke e dërguar mesazhin në 51 sekonda në përpjekjen e dytë dhe më pas në 45 sekonda në përpjekjen e katërt. “Jam praktikuar çdo 20 minuta çdo ditë gjatë javës së kaluar, e dija se mund ta bëja, mjafton ta fiksoja frazën në mendje”, thotë ai. Adoleshenti ka prishur tastierën e katër telefonave celularë më parë. Ai thotë se dërgon rreth 50 mesazhe me tekst në ditë. Babai thotë se i dhuron Elliot-it një kopje të librit “Gines” të rekordeve çdo Krishtlindje, prandaj nuk ishte i habitur për faktin që djali do të provonte diçka të çuditshme. Teksti i dërguar ishte “Piranhas-i me dhëmbë brisk, i llojit “serrasal musand pygocentrus” është peshku më i egër i ujit të freskët në botë, në të vërtetë ata rrallë sulmojnë njerëzit”. Mesazhi i Elliot-it duhet të përkonte ekzaktësisht me të, përfshirë hapësirat, shenjat e pikësimit dhe gramatikën pa asnjë gabim. Ai thotë se nëse dikush tjetër ia merr rekordin, ai do ta provojë përsëri, por tani për tani do t’i rikthehet librave dhe të përgatitet për provimet.

.........

Shoferët esëll shpërblehen me një gjel deti

Shoferët esëll që kalojnë në pikën e kontrollit në Salinas do të marrin nga një gjel deti dhuratë. Brenda një ditë do të shpërndahen rreth 300 gjela të pjekur për shoferët që kalojnë me sukses testin e kontrollit për alkool këto ditë. Kjo është shumë e bukur për të qenë e vërtetë. Sikur ta dinin të gjithë shoferët do të dyndeshin drejt këtij postblloku, por vendndodhja e tij po mbahet sekret. Departamenti i policisë në Salinas dhe Projekti për sigurinë në rrugë po bashkojnë forcat për dhuratat e gjelave.

.........

Alabama, diplomohet për 100 vjetorin

Një grua nga Alabama mori diplomën e gjimnazit në përvjetorin e 100-të. E moshuara që e ka kaluar jetën në West Coast pasi la shkollë, mori diplomën e nderit të gjimnazit në festën e ditëlindjes. Me dhjetëra kushërinj nga Uashingtoni, Oregoni dhe Kalifornia u mblodhën në restorantin “Ivey” për t’i uruar përvjetorin e 100-të dhe për të marrë pjesë në ceremoninë e diplomimit. Ajo e la shkollën në vitin 1925, së bashku me shoqen e ngushtë dhe një shoqe tjetër. “Kujtonim se dinim më shumë se mësueset”, thotë



Kopsht për burra kur gratë të bëjnë pazar

Një bar në Gjermani ka menduar përgjigjen ideale për gratë që duan të shëtisin dyqanet në paqe, pa stresin e ankesave të partnerëve të tyre – një kopsht për burrat. Për 11.80 dollarë, një grua mund ta lërë burri në “Noxbar” në qendër të qytetit Hamburg, ndërkohë që ajo bën Pazar. Gruaja mund të shëtisë në dyqanet tërheqëse të qytetit, ndërsa burri do të jetë i zënë dhe do të merret me lojërat për të rritur. Burrave u jepet një stemë dhe një vakt i nxehtë, dy birra, futboll në televizor dhe lojëra. Dy “edukatore” të trajnuara duhet të kujdesen për ta. Brenda këtij kopshti gjenden dhe ambiente për gara në miniaturë me makina. “Maennrgarten” ka pasur sukses në Hamburg dhe mund të jetë fillimi i një lëvizjeje të re në të gjithë Gjermaninë dhe pjesën tjetër të botës, për të larguar stresin e pazarit tek të dyja gjinitë. Kërkesat ishin të mëdha në javën e parë të hapjes, jo më pak se 27 gra “i hoqën qafe” parterët ditën e shtunë. Ato mund t’i lënë burrat deri në orën 6 të pasdites, para se t’i marrin që t’u mbajnë çantat në shtëpi. Ideja lindi kur një grua që bënte pazar me burrin, kërkoi patjetër një mënyrë për të shëtitur dyqanet në paqe.

.......

Romeo futet fshehurazi në burg 13 herë

Një Romeo i dashuruar është akuzuar për hyrje fshehurazi në një burg të Sidneit në 13 raste për të parë të dashurën e tij. Dave Clarke, 35-vjeçar nga Kingswood, doli para gjykatës së burgut “Parramata” me 13 akuza për hyrje pa leje në një vend dënimi. Clarke supozohet të ketë përdorur emër të rremë dhe një kartë pensioni të Arthur Beacroft për të parë të dashurën me të cilën janë lidhur 15 vite më parë, Virginia Hancock. Hancock, e cila është shtatzënë me fëmijën e tretë të çiftit, është dënuar 4 muaj për përdorim droge.

.......

SHBA, prindërit vuajnë nga mungesa e “babisiterave”

Shumë familje në SHBA po bëjnë planet e pushimeve. Por familjet me fëmijë kanë shumë pak shpresa, pasi shumë qytete po “vuajnë” nga mungesa e kujdestarëve për fëmijë. Linda Robertson, nga Greensboro, Karolina e Veriut, thotë se çdo vajzë 15-vjeçare në qytet është e zënë duke luajtur futboll ose në palestër. Prindërit me fat që do të gjejnë “bebisitera” gjatë periudhës së pushimeve i duhet të paguajnë për privilegjin. Disa marrin 7 dollarë në orë, dhe më shumë nëse është më shumë se 1 fëmijë.




Për të pestën herë, kampion tek “Gënjeshtari më i madh në botë”

Ky kampionat është i vërtetë. Gënjeshtari më i madh në botë është kurorëzuar pasi tregoi një histori për një nëndetëse gjermane të Luftës së Dytë Botërore që kishte pushtuar Britaninë për të kapur dekoderat e televizionit dixhital. John Graham, “John gënjeshtari”, fitoi konkursin e përvitshëm të historive të gjata, i cili mbahet në Bridge Inn, në Santon Bridge. Graham, që e ka fituar titullin pesë herë më parë, tha se kishte zënë një merluc 2.7 metër të gjatë. “Ishte një histori e vërtetë”, insistoi Graham në transmetimin radiofonik të “BBC”-së dje. Ngjarja tërheq turistë dhe konkurrues nga e gjithë bota. Konkurruesit kanë pesë minuta për të treguar historinë më të madhe të dëgjuar ndonjëherë. Politikanët dhe avokatët nuk lejohet të regjistrohen.

........

Hajduti njofton policinë kur gjen fëmijën në makinë

Një hajdut që grabiti një makinë në Melbourne, Australi, e la automjetin dhe njoftoi policinë kur pa një fëmijë që flinte në ndenjësen e pasme. I zoti i makinës e kishte lënë motorin ndezur, ndërsa vetë ndodhej në pikën e karburantit për të blerë një gazetë. Brenda disa minutash u kthye dhe pa se makina kishte avulluar, por më vonë mori një telefonatë nga policia, që thoshte se makina i ndodhej disa milje më larg. Rreshteri i policisë, Colin Clarke thotë për “Australian Broadkcast Corp”, se, “ishte mundësi e rënë nga qielli për krim”, duke qenë se motori ishte lënë ndezur. Ai e justifikoi hajdutin duke thënë se veproi në mënyrë të përgjegjshme duke njoftuar për sigurinë e 4-vjeçarit.

........

6-vjeçari pezullohet nga shkolla për vizatime të dhunshme

Babai i 6-vjeçarit në shkollën “Little Butte” mendoi se mësuesit po e tepronin kur pezulluan djalin, Ryan Weathers, për vizatime të dhunshme dhe se kërcënoi nxënësit. Fëmija u dënua këtë fundjavë pasi vizatoi dikë që godiste një tjetër në kokë me armë. Drejtori e dërgoi 6-vjeçarin në shtëpi kur prindërit e tjerë u ankuan duke thënë se me këtë veprim ai kishte kërcënuar fëmijët e tjerë. “Nuk është një fëmijë i dhunshëm”, thotë Weathers. “Nuk donte t’i bënte keq askujt”, shton babai i shqetësuar. Raporti disiplinor që i është dhënë Weathers shkruante se arsyeja e dënimit ishte se djali “kërcënoi të godiste në kokë dy vajza duke i treguar vizatimin”. Vizatimi ishte frymëzuar nga një episod i filmit vizatimor “The Simpsons”.

........

Piloti ul helikopterin të mbledhë kërpudha për mamanë

Një pilot i forcave ajrore të Tajlandës është ndaluar të fluturojë, pasi uli helikopterin në një fshat të mblidhte kërpudha të egra për mamanë. Forcat ajrore urdhëruan dënimin dhe filluan të hetojnë, pasi fshatarët në provincën perëndimore të Kanchanaburi-t i raportuan incidentin policisë. Banorët e fshatit thanë se një helikopter u kishte fluturuar mbi koka para se të ulej dhe disa prej tyre ishin afruar të shihnin, por s’e kishin gjetur pilotin pranë helikopterit. Kur ai u kthye, i tha se kishte shkuar të mblidhte kërpudha për mamanë. Piloti është dënuar për braktisje të helikopterit pa lënë dikë që të kujdesej për të dhe për shkelje të rregullave të tjera.




Papagalli tregon për tradhtinë e të dashurës

Një anglez i dëshpëruar e mësoi të vërtetën e tmerrshme se e dashura po e tradhtonte drejt e nga goja e papagallit të tij. Papagalli Ziggy, shpendi shtëpiak i Chris Taylor, këlthiste “ç’kemi Gary” sa herë binte telefoni i të dashurës së tij, Suzy Collins. Shpendi afrikan gjithashtu bënte dhe zhurmën e të puthurave sa herë e dëgjonte emrin “Gary” në televizor apo radio. Fillimisht e habiti të zotin, Chris Taylor, një programues kompjuteri, dhe e mori veprimin e papagallit si diçka që kishte mësuar nga televizori. Por ditën tjetër ai u afrua në kolltukun e apartamentit të tyre në Leeds, dhe Ziggy bërtiti me zërin e Suzy-it, “unë e dua Gary-in”. Atëherë ia zgjidh goja. Punonjësja e centralit, zonja Collins, 25-vjeçare, shpërtheu në lot dhe rrëfeu se mbante një lidhje prej 4-muajsh me një koleg pune. Rrëfimi i saj i dha fund lidhjes 2-vjeçare. Zoti Taylor, 30-vjeçar, në të njëjtën kohë u nda dhe nga papagalli i tij, pasi vazhdimisht nxirrte emirin e të dashurit. Ai thotë se nuk i vinte keq për ndarjen nga Suzy pas asaj që bëri. Por i theu zemrën ndarja nga 8-vjeçari Ziggy. “Humba të dashurën dhe mikun më të mirë njëherësh. Por ishte një torturë ta dëgjoja të përsëriste emrin Gary vazhdimisht”, thotë ai.

......

Të burgosurat duan satelit të shohin futboll

Të burgosurat e Institutit të Korrigjimit në kontenë Clayton, në Atlanta, duan leje të blenë një televizion satelitor. Kjo kërkesë përforcohet edhe nga gardianet e burgut, të cilat thonë se 226 të burgosurat do të jenë të zëna duke parë futboll. Paratë e nevojshme, rreth 100 dollarë në muaj, do të mblidhen nga komisionet e burgut dhe nga telefonat me pagesë, të cilat vitin e kaluar ishin 41 mijë dollarë. 90 për qind e të burgosure duan të shohin futboll.

......

Një ari në listën e të kërkuarve për grabitje

Policia në Nju Xhërsi thotë se një ari i zi dyshohet të ketë grabitur një transportuese personash dhe e ka marrë për një xhiro. Polici Dave Dehardt e gjeti automjetin në anë të rrugës, pranë qytezës Vernon. Dritarja e pasagjerit ishte thyer dhe panelet e dorës ishin dëmtuar. Zëdhënësi thotë: “Jemi të vendosur se ishte ari, pasi gjetëm provat brenda”. Mesa duket, ari ka liruar frenat e dorës, ka shtypur gazin dhe e ka zhvendosur larg shtëpisë së të zotit.



Mësuesi vret rakunin me ngulësen e gozhdave në oborr

Një mësues biologjie në Arkansas vret rakunin me ngulësen e gozhdave si eksperiment shkollor. Mësuesi i gjimnazit Alvin Lievsay thotë se një prin i premtoi t’i sillte në shkollë një rakun për ushtrimin, por e habiti atë duke i sjellë një kafshë të zënë kurth të gjallë. Lievsay “i cili për parë ka punuar si kasap”, thotë se e nxori kafshën jashtë dhe e goditi me ngulësen automatike të gozhdave. Lievsey thotë se asnjë nxënës nuk ishte dëshmitar i ngordhjes së kafshës dhe as edhe njëri prej tyre nuk kërkoi të dalë nga klasa. Ai e përdori rakunin për të treguar si të rrjepë një kafshë dhe të hetuar përmbajtjen e stomakut. Ky veprim mjaftoi që ditën e nesërme para zyrës së drejtorit të mbanin radhë me dhjetëra prindër të irrituar. Drejtori i shkollës të mesme në Huntsville thotë se i ka tërhequr vërejtjen mësuesit për aktin e panevojshëm që kreu.

........

Lopët ikin me vrap kur shohin “McDonald”

Tetë lopë u arratisën sapo sapo dera e prapme e një trajleri hapet para një fabrikës së përpunimit të “McDonald’s” në West Haven, Utah. Shoferit iu deshën më shumë se 2 orë për t’i mbledhur. Një banor pranë madje doli vullnetar t’i kërkojë me kalin e tij. “Ndoshta ato e parandjenjë se do të bëheshin hamburgerë”, thotë Wayne Sanders. “Nuk po u besoja syve. Sapo hapa derën dhe i tërhoqa jashtë, ato “ia krisën vrapit” dhe u larguan me të shpejtë”, shton ai.

........

Angli, gjyshja ndalohet të blerë verë

Një gjysheje në Sussex nuk iu lejua të blejë një shishe verë, pasi nuk mund ta tregonte se ishte mbi 18 vjeç. Tina MacNaughton-Jones, 47-vjeçare mendoi fillimisht se shitësja po bënte shaka kur e pyeti të provonte se i kishte mbushur 18 vjeç. Shitësja gjithashtu nuk e lejoi as vajzën e saj 22-vjeçare të blejë verë, e cila e kishte kartën e identitetit, se mos ia jepte nënës së saj. Gjyshja me dy nipër nga Worthing thotë: “Njerëzit më thonë se dukem më e re se mosha që kam, por jo aq e re sa mos më lejojnë të blej alkool”.


Martohet me qenin për të larguar fatin e keq

Një person në Indinë jugore u martua me një qen në ceremoninë tradicionale hindu si dënim se goditi për vdekje me gurë dy qen të tjerë. Gazeta “Hindustan Times” citon 33-vjeçarin të ketë thënë se mendon se pas veprimit që kreu do të ketë fat të keq, dhe duke vepruar kështu shpreson të shlyejë fajin e bërë. P. Selvakumar martoi qenushen e rrugës me emrin Selvi, të zgjedhur nga pjesëtarët e familjes. Ata e kishin larë dhe veshur për ceremoninë në tempullin hindu në shtetin jugor të Tamil Nadu-së. Selvakumar thotë për mediat se fati i keq e ka shoqëruar që kur goditi me gurë dy qen 15 vite më parë. “Këmbët dhe duart mu ngathtësuan dhe nuk dëgjoja mirë nga i njëjti vesh”. Gazeta thotë se një astrolog i tha se martesa ishte e vetmja mënyrë për të kuruar mangësitë e tij, por nuk thotë nëse gjendja e tij është përmirësuar. Njerëzit supersticiozë në Indi shpesh organizojnë dasma me qenë apo kafshë të tjera, me besimin se do të shpaguajnë mallkime të veçanta. Qeni kishte veshur një mbulesë portokalli dhe një kurorë me lule. Gazeta shton se dhëndri dhe familja mbajtën një gosti ndërsa qeni hëngri një simite.

........

Përdor armën për të nxjerrë dadon e makinës

Një mekanik goditi me armë një dado “kokëfortë” në rrotën e djathtë të makinës, por lëndoi veten në të dy këmbët. 66-vjeçari kishte dy javë që riparonte automjetin “Lincoln Continental” në veri-perëndim të Londrës. Ai i kishte nxjerrë të gjitha bulonat përveç njërës, që e bëri të humbasë durimin dhe të marr armën. Ciflat e shkaktuara nga goditja i prekën këmbët dhe u ngritën deri tek mjekra. Zjarrfikësit i dhanë ndihmën e shpejtë dhe i nxorën dadon duke i qetësuar nervat.

........

Nju Jorku ndalon ushqimin e pëllumbave, gërryen infrastrukturën

Nëse rastis të udhëtoni në Nju Jork dhe kaloni në sheshet e mbushur me pëllumba, mbajini duart lart dhe larg thërrmijave të bukës. Sipas një propozimi të qytetit për të pakësuar tufat e zogjve, që shpesh cilësohen “si minj me krahë”, ushqyerja e tyre do të ndalohet rreptësisht. Këshilltarja e qytetit, Simcha Felder thotë se gjoba mund të arrijë deri në 1 mijë dollarë për ata që shkelin rregullat. Shkaku është se acidet e amoniakut dhe të jashtëqitjeve që lëshojnë ata ndryshkin hekurin dhe gërryejnë infrastrukturën.


Tajlandezi birëson fëmijë të dytë, krokodilin bebe

Deri më sot kishim dëgjuar gjithçka, por që një baba birëson një krokodil, këtë jo. Kjo është historia e një tajlandezi që humbi familjen, por jo shumë kohë më vonë gjeti një këlysh krokodili. Ai e rriti atë sikur të ishte djali i tij. Tani të dy janë të pandashëm. Personi i guximshëm u divorcua nga gruaja, gjë që e bëri të largohet edhe nga djali. Menjëherë pas divorcit ai u pushua edhe nga puna, duke përkeqësuar gjendjen e tij emocionale. Por gjithçka ndryshoi kur ai gjeti një krokodil, të cilit ia përkushtoi gjithë kohën e lirë. Ai e ushqen, e pastron, e vë të flejë në shtratin e djalit dhe e mbulon. Ku ka më mirë se kaq.

......

Angli, gazeta më e vogël në botë thyen rekordin

“First News” është gazeta më e vogël që është botuar ndonjëherë. Masa dhe forma nuk kanë rëndësi për lajmin, pasi është kjo gazetë për fëmijë nga mosha 7 deri në 14 vjeç që ka thyer rekordin. Ashtu si të gjitha gazetat e tjera ajo përmban lajme, vetëm se në format të vogël. “First News” është regjistruar në librin “Gines” të rekordeve si gazeta më e vogël në botë. Ajo u botua më 8 nëntor në Londër, Angli. Gazeta për fëmijë përmban lajme shkencore, lajme nga bota e kafshëve dhe krijime artistike. Në faqet e brendshme do të gjeni hapësirë për lojëra, lajme udhëtimi, lajme nga shkollat. Kjo gazetë ka një faqe enkas për prindërit dhe një për mësuesit.

......

Njeh vajzën e ëndrrave me anë të vizatimit “online”

Patric Moberg, një disenjator uebi përdori rrjetin pa mbarim të internetit për të kërkuar një vajzë me faqe të kuqe me të cilën ra në dashuri në metro. Ai publikoi numrin e telefonit dhe adresën e internetit në të cilën të gjithë ata që e njihnin vajzën e vizatimit mund ta kontaktonin. “Po vija në punë sot kur papritur pashë këtë vajzë në metronë e Nju Jorkut. Sapo mbërrita në punë e vizatova dhe e publikova foton e saj në internet. Ishte thjesht një vizatim me dorë të lirë, por brenda 48 orëve unë e gjeta. Është e habitshme”, thotë ai. “Brunia e mistershme” është Camille Hayton. Një miku i saj i dërgoi një foto Moberg-ur, i cili e njohu menjëherë.

......

Tanzani, doktorët i operojnë këmbën në vend të kokës

Një i sëmurë nga migrena, Emmanuel Mgaya është operuar në këmbë, edhe pse nuk kishte asnjë problem me to. Një spital në Tanzani ka ngatërruar dy pacientët që kanë të njëjtin e emër, gjë që rezultoi në një ngatërresë kirurgjikale. Emmanuel Didas u shtrua për të operuar gjurin pas një aksidenti me motor, por tani e ka marrë veten pas kirurgjisë në kokë. Ndërkohë pacienti i migrenës po e merr veten nga operacioni i paplanifikuar në këmbë. Të dy janë të shtruar në të njëjtin spital dhe do të kryejnë operacionet e duhura pasi t’i jetë mbyllur plaga e të parit. Të afërmit e të dy personave kanë kërkuar të kryhen hetimet e menjëhershme për këtë ngatërresë, ndërsa doktorët e spitalit Muhimbli nuk duan të komentojnë në lidhje me këtë incident.




SHBA, arrestohet se kafshon buzën e të dashurit

Policia amerikane ka arrestuar një grua se kafshoi buzën e të dashurit. Në padinë e ngritur prej tij në kontenë King të Seattle-it, shkruhet se gruaja nga Uashingtoni i shkaktoi dhimbje të përkohshme. “Dy të dashuruarit u puthën disa herë të mërkurën pasdite, kur, pa qëllim, ajo i kafshoi buzën e poshtme pa e paralajmëruar”, shkruhet në raport. Ai menjëherë njoftoi policinë, e cila mbërriti në shtëpinë e periferisë së Seattle-it dhe e gjeti personin të ulur në divan. “Dukej qartë se ai kishte dhimbje, por mund të fliste”, thotë sherifi i kontesë, John Urquhart. Menjëherë i plagosuri u dërgua në spital ku mori ndihmën e parë. Pas padisë së ngritur prej tij policia nisi menjëherë hetimet. Autoritetet thonë se gruaja, emri i së cilës nuk është bërë i ditur, i rezistoi arrestimit. Ajo u arrestua për dhunë shtëpiake, por ende nuk është dënuar. Pas lirimit me kusht ajo u kthye në shtëpinë e të dashurit të saj.

........

Merr vrasës me pagesë se prindërit s’e linin të luante me kompjuter

Si gjithë prindërit në botë, edhe Shannan dhe Joey Troiano ishin të shqetësuar për notat e ulëta në mësime të djalit, Cory Ryder, dhe e dënuan duke i konfiskuar “PlayStation”-in dhe televizorin. Por ndryshe nga djemtë e mirë, 16-vjeçari po planifikonte të punësonte një vrasës me pagesë. Për fat të mirë, e ëma e dëgjoi në telefon dhe nga ana e saj planifikoi një operacion sekret me policin që hiqej si vrasësi me pagesë. Plani i adoleshentit u zbulua dhe para gjyqit do të qëndrojë në burgun e të miturve në Uashington.

........

Mijëra banane përfundojnë në bregun holandez

Me mijëra banane kanë dalë në bregun e dy ishujve të Holandës veriore ditën e djeshme, pasi 6 kontenierë ranë nga anija kargo gjatë një stuhie dhe u hapën. “Besoj se të gjithë në ishull duhet ta kenë nga një tufë”, thotë Gossen Buren, një punonjës i transportit. Bananet kanë mbuluar më shumë se një kilometër të plazhit të ishullit Terschellilng, 70 milje nga veriu i Amsterdamit. Bananet kanë mbushur edhe ishullin fqinj, Ameland. Një vit më parë me mijëra këpucë tenisi, valixhe alumini dhe lodra fëmijësh mbërritën në breg. 20 vite më parë bregu u mbush me pulovra.

19:59 Posted in Lajme | Permalink | Comments (0) | Email this