17.11.2007

Në xhep kam një botë

Cikli i parë:

Atje ku heshtjet kishin frikë të hynin
abortova përnatë ëndrrat që s’duhej të lindnin

1. TË MOS KISHTE NATË

Të mos binim në gjumë
të mos kishte shtrat ku të flije ti
dhe mendimet të më vinin të kthjellëta
pa tymnajë xhelozie
pa vetmi të prerë

Nata lëshohet me peshë
tutem mos kulmi më zë përfundi
jashtë ka vetëm huta
të marrët dëgjojnë edhe zëtha nate
kodra e gjelbër në bark të territ fle
apo mori udhë dikah s’e di.
Kuptimi për ngjyrat
bisedat e zogjve
detet e botës
dhe unë
kemi pjesëtuesin më të vogël të përbashkët:
Natën
kur krijesat e brishta s’rrojnë

Dhe ti që të dua kaq shumë
fle diku larg

Natën e di ti lë gjithçka
edhe qenien time edhe këngën që dhemb
Të mos kishte natë
të mos binim në gjumë
unë do të harroja se s’më përket mua
do të harroja dhe pikë.

Sikur të mos kishte natë…

2. NDEZULLI

Dua të jem Ofeli në Vjosë
të vish ti pastaj
në shtratin tim të ujtë
në nënkresën me lule
të jetë pranverë
vetëm pranverë
unë dhe lulet të këputura notojmë
të vish ti pastaj
të dashurohesh në pranverë
në erën e luleve të këputura
në puthjen time të lagur valë-valë
dua të jem Ofeli në Vjosë
ti s’mund të më zgjosh
Borëbardha u harrua
në përrallën e gjyshes Hidushe

më pëlqen të jem Ofeli në Vjosë
jo për rrokjen e njëjtë të emrave tanë
veç për shelgun lotues
që luledelet si foshnjë t’i mbaj në gji
për vjollcat që mbinë në lumë brenda

Ofeli do të jem në Vjosë
përrojet s’i dua
do fle pastaj me lulet pa u zhytur
jam e lehtë
bosh përbrenda
të mos bëjë vapë
hije dua me shelg trishtues

Ti të vish pastaj
kur të jem Ofeli unë në Vjosë
e tëra luledele kur të jem.

3. CIKËRRIMË

Kur ti fle
qyteti është i vetmuar
parqet memece më shikojnë çuditshëm

ti zgjohesh
jeta rikthehet
gëzimi se ku më gjen mua

rrugët i kënaqen ardhjes sate
bota ikën bashkë me ty
ndenjësen e bardhë e lag shiu
dielli nuk lind
të pret

unë e di ti prapë s’do të vish
s’është gjë e madhe kjo
mund të flesh akoma
qyteti po mësohet me vetminë

unë tretem
cikërrimat janë kriminele.

4. ***

Ti mos eja,
kalendaret s’e çajnë kokën
ecin tutje
një zë i harruar sopraneje
s’rresht

Ti mos eja
Ngjyrat tërhiqi nga jeta ime
le ta humbim rrugën
drejt kuptimit rozë
zëri sopranë mbytet
mes ngulçimash

Ndjej neveri.
Një këngë dashurie jep shpirt.
Të qaj?
Jo. Lotët s’frymojnë
në morte kaq të mëdha.

5. S’BËJ NDONJË GJË

Dera pret një gisht që troket
Vazon e kishin parë tek mblidhte lule
dhe qeshte
Tavolina bleu e gatiti gjithçka që të pëlqen
(Ua! E paska djegur ca mishin!)
Karriget dhe rruga s’u miqësuan dot
Qiriri u ndez dhe lutet të vish
Seç iu tek Pirros të këndojë për ty!

Vetëm unë flej. S’të pres.

06. GJITHÇKA E TRAZUAR

Thellë brenda nesh gjithçka e trazuar
mort kemi
telefoni ka vdekur
ashtit tim fuqishëm mesnata i bie
poezia vajton
në të zeza e veshur

i arratisur që moti gjumi bredh në shi
në gjithësinë timetë vetmuara dy yje lotojnë
takimet e sëmura në një skaj dergjen
mjekë jemi vetë s’e dimë diagnozën
(mbase dhe s’duam t’i shpëtojmë) !?

arsyeja kufij të pathyeshëm vendos
përtej s’depërtojnë as shpresat
gjithçka ka ndryshuar
njëlloj s’është asgjë
e premtja ka boshsi
pëlcet e mërkura…
e shtuna… as që dua ta kujtoj

thellë brenda nesh gjithçka e trazuar
perëndojnë ditët e bukura
mort kemi
gjithçka po vdes që është jona
këtë natë qiriri s’po ndez…

heshtje ndjenjash
të ndrojtura
(ç’rrëmujë, ç’trazirë në ne)
Brenda
thellë…

7. TË BËHEMI PËRRALLË

Eja më merr nuse,
në krahun e pestë të yllit
bëjmë shtëpinë
yjtë do hedhin vallen
me koreografi lasgushiane
dhe s’do qaj më kurrë

Eja më merr,
nuk i kam zënë besë përrallat
vetëm fundet ia lakmova
haj bëhemi përrallë me fund
haj i gjejmë të qarës një fund

Eja më merr nuse,
në krah ylli
dasëm të bëjmë
teksa yjet kërcejnë
teksa qiejt përgjojnë.

8. ISHA E VOGËL

Isha e vogël atëherë
kjo më dukej poetike dikur
e përsërisja shpesh
tani e di
isha e mitur vërtet
edhe flokët i kisha të shkurtëra
sa po ndërtoja një rrugë jete
që sillte vetëm te ti
rrugën që nënvetëdija ime e mësoi
përmendësh
para se të ecja unë në të

e vogël isha atëherë
një skicë e thjeshtë
po kisha dëshira të mëdha

netëve të shihja ëndërr
mëngjeseve mblidhja lule
fëmijëria ime s’të zinte
se këmbët i kisha të vogla

qiellin e vizatoja të kaltër
pa re
t’i puthja vetëm sytë
isha e vogël
mblidhja lule
po kisha dëshira të mëdha.

9. TI JE KËTU

Ti je këtu
Po ai ka kohë që ka ikur
Bashkë me borërat që s’bien më
Ti ke edhe duar edhe përkëdhelje
Ti ke edhe buzë edhe puthje
Po ai ka kohë që ka ikur tok me drithërimat e mia
S’rënkoj më
Ti je këtu bashkë me natën që e dua
Ai ka kohë që ka ikur
Me vete ka hijet dhe shtratin
Tash s’gjetkemi një vend për t’u shtrire ne dy

Ti je këtu
E ai ka kohë që ka ikur me shumëçka timen.

10. A VDESIM SONTE?

I dashur,
a vdesim sonte?
e bukur është vdekja në krahët e njëri-tjetrit
të paktën s’do mbajmë më frikë
se mos zgjohemi vetëm
në një botë të shëmtuar
në një botë shterrpë
marrim një frymë të përbashkët
puthemi
s’kemi kohë për shumë gjëra
mjafton një të dua e madhe
dhe pak drithërima

pastaj i mbyllim sytë
sjellim ndërmend gjithçka tonën:
parfumet e mia
brekët e tua të gjata
telefonat
mesazhet
ca zënka më kujtohen si nëpër mjegull
bora e madhe e atij dimri-prush
malli që na u qep fort
yjet që i kapëm me dorë
puthjet…
përqafimet
teksa hëna ulej në sup të qytetit.

I dashur,
a vdesim sonte?
e bukur është vdekja
mbi çarçaf të bardhë
shkelma syrin
do të jetë fare lehtë
s’duhet thënë shumë gjëra
mjafton një të dua e madhe
dhe pastaj i mbyllim sytë
sjellim nëpër mend
atë shtëpi të vjetër
atë dhomë të errët
ku…

Vdesim sonte i dashur
të lutem mos ma prish!!!

11. DY MINUTA PRIT DHE…

Mund të mos vij mund të jem harruar
dy minuta prit dhe shko

rrugët janë të gjata
grumbuj zuzarësh më ndalojnë
ti mos prit shumë
pritjet i lodhin dashuritë
më kujto një herë dhe shko

udhës mos blej trëndafila
ende më pëlqejnë shumë
po mund të mos vij
mund të jem shuar
dy minuta prit dhe shko

ndoshta më është tekur ta grij dëshirën
ti mos prit gjatë
dhimbje s’dua të kesh
mund të më kenë lidhur
më thirr në emër dhe… shko

do të jem përpjekur
do të jem nisur me vrap
më kanë zmbrapsur urdhrat
besoje këtë dhe ik

ndoshta s’vij
ndoshta s’mund të vij
dy minuta prit dhe shko

12. BURBUJË

Them ja kortezhi
jam vetëm unë aty
ç’kortezh i shëmtuar!

në varrim s’ka njeri
sapo të nxora nga një kishë e harruar
thua që s’je i krishter
e di
vetmia të ka mësues
dhembjet t’i njeh Krishti
është po aq i vetmuar
gozhduar në kryq
Ti në mua

Sinonim i kryqit-Unë
zhbëhen djajtë tek më shohin
e humbe dhe kryqin
ai mbetet në stuhi të kupolave
më s’lind Jezu
të gozhduar s’do të ketë
në është lehtësim s’e di
kur prore vrimat shkaktojnë dhembje
vrimat - pasojë e përjetshme e gozhdimit.

Them ja kortezhi…
pa njerëz
pa kufomë konkrete
ritualet i dogja
dashuria qe rit

Kërkova lotin mbrëmë
më të fundmen pikë
(s’e gjeta)
e çoroditur vdekja
e domosdoshme ndarja

Tërmetet ma godasin kokën
brendinë
e dashuruar jam
në mua dikush po vdes.

13. FLUTURUSHA

Isha budallaqkë kur të desha
ngapak fëmijë
ngapak hutë

ushtroja detyrën e adhurueses
isha fluturushë
isha vjeshtë ngapak

eh, sa më ka marrë malli
të bëhem budallaqkë
pakëz fëmijë
e lojtur ngapak.

14. ERDHI TEK UNË MBRËMË

Erdhi tek unë mbrëmë
dhe s’u zgjua herët
majet e gishtave i qenë bërë copë
s’mund ta mendoja një gisht pa majë
një gisht cub

Plagët ia pata lidhur dikur
edhe atë më të thellën
secilën…
ofkëllente
më mbiçmonte
mandej s’flitej më për to
i harronte (ndoshta)

ende s’e di a iu shëruan

Më hidhej mbrëmë t’ia lidhja dhe këmbët
po nën fashë s’do ta shihja shërimin
ai me siguri s’do të fliste
dhe… (s’mund ta them)
më pak vlen një këmbë
se një shpirt-
plagë kurrë e palidhur.

Ai erdhi mbrëmë tek unë
kisha gjakosje të brendshme
për herë të parë hyri kah dera
erdhi që të nesërmen t’i merrte
ato pak gjëra që më kishin mbetur
as bishtin e cigares s’e harroi
këtë e kam pirë moti, më tha,
imi është

këmbët s’ia lidha
ndoshta kishte ardhur enkas për to
u zgjua vonë
zvarritej si ditët e mia pa të
gjithnjë kishte ecur në majë të gishtave
tani s’i hynin në punë

E pashë kur u nis
njeriun pa hapa
tinëzarin tim
që si frymë ma pati mbërthyer qenien

askurrë s’do ta ndeshja në jetën time
s’kishte më as majë në gishta

s’do të vinte më.

15. E JONA S’ËSHTË DASHURI

Do të thuash e jona është ndryshe
mund dhe s’mund të quhet dashuri
i ngjet një loje
me tendenca për të mos u luajtur kurrë
përvidhet ngapak
ndalesa është lavire përpara saj
e ajo një ndalesë e përbetuar

Do të thuash se e jona është ndryshe
e çuditshme për t’u quajtur dashuri
mozaik postmodern a dadaist
copash labirinthi
ndërprerjet s’e vënë në dyshim ndjenjën
veç fjalën
(të dua s’thuhet kaherë)

Do të thuash se e jona është ndryshe
ashtu them dhe unë
të korrigjoj:
ajo është tejdashuri
dashuri grimcash gjithësie
prokurore që dënoi mëkatin.

16. ME SHI

Më kujto shi kur të bjerë
më pate parë edhe me flokë të lagura
një dashuri prej shiu qe e jona
lart…lart fluturonin dëshirat si lejlekë
dhe kurdoherë gjendej një gjahtar aty pranë
ne qanim me shi
netët kishin vetëm pikla uji e kurrë ëndrra
se kush guxonte të ëndërrojë

e di shpirt kur të jesh duke soditur shiun
unë akoma s’do ta kem parë as edhe një ëndërr

kur të bjerë shi jetësomë
jetësomë kur të bjerë shi e kur të jetë natë
në një të tillë më mbajte në krahë
tek kërcisnin orët si lëvozhga arrash
dhe gjithçka qe humbëtirë
përmbytej gjithçka

më kujto kur shi të bjerë
lëshohu në shtrat symbyllur
rend në ditët e bardha
shkolla e largët do të jetë lagur
do të ketë të ftohtë
dhe kujto si qava për pëllumbat
që fshiheshin pas strehëve
histori pëllumbash ishin për ty
unë e di ato e patën mësuar dashurinë
më mirë se ti
më mirë se unë

kur të bjerë shi do të vi
gjithë botën do ta heq zvarrë pas vetes
për t’u shfajësuar
mund dhe të më mbash mëri
vërtet u gdhiva në një sup të huaj
po qava… qava e u luta për shi.

17. TA THEM UNË SI TË MË KUJTOSH

Kujtomë me lule
sinonim imi le të jetë ajo
dhe zemra e arit në qafë

do të vij veç kur akrepat puthiten
i lash gishtërinjtë atje në flokët e tu
mos qaj… S’ishe dhe aq i keq me mua

në do t’ia beh ndonjë natë
me akrepat e orës
kujdesu për lulet

mos thuaj: jetojnë pak
vyshkjen e pranoj
tretjen assesi
ndaj qiri mos ndez!

18.E PAGJË

Mos më trokisni në derë
mbrëmë i fala edhe ëndrrat e fundit
ato ngjyrë trëndafili
të ruajtura me vite në kutinë e stolirave

mos ejani
s’kam ç’t’ju jap
natën që shkoi e pashë veten nuse
pamje që më vinte shpesh
që atëherë kur e skuqja fytyrën
me buzëkuqin e mamasë

gjithherë më morët nga diçka
tani s’kam më as ëndrra
dhe ju s’e vrisni mendjen

Mos më trokisni në derë
më mbeti vetëm një qiell që më rresh shi
të dielën e fundit të secilit muaj
më shkund mendimi
se të dielave
qielli im i vogël
më mban meshë
për shpirtrat që humbën diku
për miqtë që s’kthehen më
si minutat e orës së lumtur
dhe për atë, Donin

mbrëmë i fala edhe ëndrrat e fundit
tash kam vetëm qiellin e vogël
po juve s’ju pëlqen të lageni nën të

mos më trokisni në derë !!!

19. ANTITEZË E DASHURISË

E marrë bëhem kur dashuroj
Po dhe dashuria marroset në mua
Britmat shuhen në klithje të fshehta
E tëra qajeqeshje jam

Shoh si u thyekan ndjenjat
Para ligjit të arsyes
Si bëhem Hënë kur Dielli ka vdekur

Marroset dashuria
Marrosem unë

Mund të pyesni për datën
T’ua them emrin e tij
Edhe një adresë po kërkuat nga unë
Emrin e tij do ta dëgjoni
Më pyesni për jetën
Ju flas për Të
Fundja… fjalori im ka vetëm një emër

Prore zvogëlohem
Një qukapik përpiva
Ç’dëm!
Ndodh fitoret t’i pres e gjunjëzuar
E bëj dashurinë të luajë mendsh

Pse hutoheni
Dashuria vjen ndryshe tek une
E marrë bëhem kur dashuroj
Po dhe ajo marroset në mua.

20. KJO S’ËSHTË NISMË

S’ka të përtejme
Me heshtje kurorëzohen dashuritë
Ti mbetesh edhe pas teje

Vjersha më ka rënë në shtëpi publike
Pasojë e një ndjenje të çoroditur
Që brenda të mban dhe ty

Kjo s’është nismë
Po munde harroi të gjitha
Edhe mua edhe shiun
Vetëm mos ma kërko të njejtën

Ti mbetesh edhe pas teje
Gjërat qarkullojnë në cikël
Kthehen në zanoren e dytë të emrit tënd
Marrin trajtën tënde

S’ka të përtejme
Ndonëse lind në çdo skaj ku shembesh

Cikli i dytë:

Në cep të gotës lëre shijen e puthjes sate
do të pi me shekuj nga ajo gotë

21. ***

Ti mëso të dashurosh shpirt
ëndrro një qiell vere
një puthje të athët nën të

mëso të më sjellësh në mendje
me sy që s’guxuan kurrë të qajnë
me një gazetë pa kronikë të zezë

mëso shpirt se në botë
ka kaq njerëz që i zë gjaku
që picërrojnë sytë para plagës

mëso se deti nuk është larg
diç na lidhi me të gjithmonë
ka ëndrra…shumë ëndrra
fundosur, mbytur në të

shpirt, mëso ta vësh dashurinë
pak më lart se koka jote
mëso ta shohësh në sy pa frikë
ajo s’ka mundur njeri
në jetë të jetëve

mëso ta duash natën
t’i duash edhe terrinat
një e tillë bëhet lehtë
çerdhe dashurish të ndaluara

mëso t’i lexosh poetët
kanë qiej dëshirash të heshtura
kanë nevojë të ethshme për Ty

puth shpirt pa u lodhur
pa hezituar puth
dua të jesh i përjetshëm

i dashur, mëso të më dashurosh
t’ia punosh jetës
dhe të qeshesh
të qeshesh e të më shkrish.

22. DASHURI SA NATA

Natë është.
Për të mijtën herë të dashuroj
afati është i caktuar:
deri sa të hapen grilat e natës
pastaj të largoj nga vetja
pres të mbyllen sërish grilat
të orvatem të të dua jashtë mase
më tepër se mbrëmë.

23. NË XHEP KAM NJË BOTË

Sytë më trembeshin nga sytë e tu
dhe zhdukeshin në çmendi shikimet
fjalët humbnin rrugën
kur ti u kushtoje vëmendje
Zeniti robërohej
e sytë…akoma më trembe(shi)n
nga sytë e tu.

Një varr e kam atje tej në harresë
do të t’i fus kockat
lëkurën
buzët…
veç sytë jo-ato janë botë.

Në harresë miha gropën
çdo gjë në të është varr kujtimesh
aty do jetosh këtej e tutje
s’do rrezatosh më dashuri
gjithçka tënden do e lë brenda
pa ta kursyer as buzëqeshjen që më josh

Në gropë do të ta mbuloj këngën
zërin
puthjen
veç sytë s’ti varros- në xhep kam një botë

24. AI

Ai vinte në Tetovë veç kur binte shi
Kur qielli mbushte gropat me pikla çdo anë
Ajo ngazëllehej, thoshte ç’rastësi
Dhe s’e mësuan bashkë në qeshën a qanë.

Piklat, shiu, gropat i bënin natës këngë
Ai ritmin dëgjonte malli i bëhej varr
Asaj si mol vargjet ia zhdukte një brengë:
Shiu së fundi do e shuante atë zjarr

Në Tetovë kalimthi pati shkelur prapë
S’do mend që i kujtohej shiu dhe Ajo
Nën qiell të kalter seç digjte një vapë
Ajo tundte djepat dhe kund s’dukej, jo.

Kishin rënë shira të rëndë a të lehtë
Vitet ishin hedhur në një hon nga s’vinë
Asnjë shenjë të vjetër s’kishte për të gjetë
Të thara gropat s’e njohin, s’e dinë.

25. EJA ME SHIUN

Në bregun e ylbertë pres
Shi nuk bie
ti s’vjen

kangjellat ia vura kohës
natën s’ia dola ta mashtroj
ti s’vjen
nuk bie Shi

vargjet shpërndahen.
dot s’i mbledh
Poezia nuk shkruhet
kur ti s’vjen
e Shi nuk bie

dikah e ke nisur veten
rrokjet venë me ty
adresën time s’e dinë
as vargjet as ti
as Shiu

26. RRITA

Tash u thye ëndrra për një botë Tonën
u rritëm ndoshta
botë për dy njerëz nuk ka
e mësuam ndërkaq

dashnorë të mëkatuar
për ju s’ka rrathë ferri
mollën e kafshuat ama!

Në një përrallë jetoka shtëpia jonë
e vogla me kulmin vjollcë
muret e kuqrremta…

Poete mjerane je, më thua,
s’ndërtove një saraj për dashurinë
një oborr mbretëror
po vure ca yje që flasin
një bibliotekë-arkiv
një breg të vetmuar…

Unë qaj kur ti s’e njeh poezinë
bëj një vjershë luksoze
për qejfin tënd
me vila verimi
me avionë të kaltër
i shkojmë qark botës

Ç’shëmti!
vend s’po gjetkemi kund
për shtëpinë tonë të kuqrremtë

U rritëm.
S’ka më Ne.

27. NËSE TI SHKON

Nëse ti shkon
vetëm urrejtje s’do të kesh lënë pas
hera-herës mund edhe të qeshem
të qeshem me të madhe
kur të më merr malli
ngashërimet t’i mbys me gaz
dhe të kujtoj:
sa të padenjë janë ikanakët për t’u dashur.

28. KRIJIM NGA NJË VARG I GJYMTUAR

Ti lind kah s’të kam pritur
befas krijohesh nga një varg i lënë përgjysmë
më dhemb fjala e papërfunduar
vargut që të ndillte s’i vura dot pikë
i përsosur do të ishe me të

rritesh pa dhënë llogari për të djeshmen
errwsirws i shpifet mortja kur tw sheh
gjurmëtar i kohëve të paqena

po e heq zvarrë vargun e papërfunduar
mes klithjesh rikrijoj imazhin tënd:
shfaqesh stërmadh
s’të zënë dot fletët
as muret s’mjaftojnë për përshkrim të denjë…
sa bukur ëndërrokam

e krijova vetë atë varg të gjymtuar
diku thellë në të krijova shpirtin tënd
për çudi sot jepem kaq fort pas teje
sikur qeshë krijesë jotja
dhe e vargut të lënë përgjysmë.

29. TË LUASH DASHURINË

Ky është vetëm flirt
Tepër banal për t’i thënë dashuri
E ku u dashuruakan qeniet e gjalla!?
Mund ta dua vetëm telefonin tim celular
Mund të më dojë vetëm llamba e leximit

Dhe tani që mbeta vonë
Për t’u quajtur adoleshente
Kam sall ndjesinë e flirtit të madh
Bashkë me atë djallin përbrenda
Që më pëshpërit se ti ekziston
Unë i besoj lart e poshtë
Sa ekzistimit të një bote tjetër shpirtërash

Ky është vetëm flirt
Këtu s’investohen ndjenjat e virgjëra
Këtu vrapohet drejt njëri-tjetrit
Sa për të treguar burrëri
Këtu s’ka rëndësi nëse ti ekziston
E rëndësishme është të shfryhet
Ndaj Botës që bëri të ndjehesh tutcan

Këtu ke kënaqësinë të luash dashurinë
Sa për t’ia mësuar flirtin tjetrit.

30. LËBYREM

Dhe ti që s’vjen përditë
ty që pret ftesa të veçanta
s’ka kush të të shkruajë

unë po marr rrugën
në krahë shtërgu
prapabote të iki
me ty brenda

CIKLI I TRETË :

Kam dhe dashuri të tjera që më ngacmojnë,
por janë pak

31. UJKU ME SY KAPROLLI

E vranë poetin që bridhte natën
Penën e kishte përgjysmë
E kishte hëngër të shkretën
Në fund ia doli edhe ajo
Ia hëngri kokën
Instiktin e ikjes zhvilloi ujku që ndiqej
S’u mësua kurrë t’ia mësyjë një kopeje
U ndoq
U vra
I ndjeri
Vetëm pse një katragjysh i quhej ujk
Vetëm se babai i kishte shkuar rreth e rrotull
Një qengji galan
Kjo heshje nate fsheh plumbin e fundit
Për mua
Sendet bërtasin
Ujku pati vetëm instiktin e të shkruarit
Instiktin e ikjes
U vra!!!
Se kush ngacmuar ia kishte trurin
Nervin e urisë
I ngopur ngordhi
Për çudinë time syrin e kishte të hapur
Sy kaprolli
Ç’ironi!!!
Ujku me sy Kaprolli!
Mbetur borxh i kishte shpirtit
Ndaj qepallat s’iu afruan

Kam filluar të ulërij
Sendet bërtasin në formë ulurime
Pështjellim që të ngjall krupën
E kaluar qoftë!!!
E shkuar qoftë!!!

E vranë poetin që bridhte natën
Edhe një plumb ka nata
Për mua
E di,
djalin do t’ma quajnë Ujkan

Dhëntë Zoti nipin mos ta ketë poet!

32. JAM E VARFËR SI BOTA
*Nënës Terezë
Dhe toka ka pak dritë, Nënë
Njerëzit janë të brishtë
Dënojnë dashuritë

Njerëzit kanë harruar të lindin
Ata nuk zgjasin dorë
Se nuk kanë
Kanë sall ca sëpata të mprehta
Ua kam frikën, nënë

Më the
Ta rindërtoj pa bëzamë atë që ma prishën natën
Atë që e bëra tërë jetën
Dhe unë s’guxoj
Kam atë djallin përbrenda
Që më kërkon shpagim për ty
Që s’të zuri kurrë

Botë e tërë e varfër
Dënon dashuritë
Të varfër janë të pashpirtët, më the,
Të varfër janë të paditurit
Të gjithë janë të varfër ngapak
Dhe s’kanë mëshirë për veten

Ndihmoi o Zot mëkatarët, thua,
Unë s’e them dot
Jam e varfër nënë
Si bota

33. ASHTU DESHI MEMI

Kur im atë më pagëzoi Vjollcë
butësinë kishte në mendje

gotat u thyen pa u cakërruar mirë
rrëqethej Prishtina
dollitë u ngritën për jetë të gjatë
kjo s’qe më e rëndësishmja
ata harruan të pinë për fatin tim

do më thërriste Vjollcë
dhe jo Liridonë a Qëndresë
ai ndillte një kohë tjetër
ku qëndresa ruhej në muze
e liria kishte ardhur qëkuri

ishte moskohë
në një lagje me mua flinin pesë Trime
shkronjat i mësova bashkë me tri Qëndresa
Lirie quhej shoqja ime e fëmijërisë…
ishte kohë idealesh
fëmijët kishin emra më të rëndë se vetja

më thirri Vjollcë
mbolli një tufë ndjeshmëri në mua
në vargje poetësh të lojtur më fshehu

u dashurova në shi
ashtu donte im atë

ngjizi në mua pak jetë
sa vetmi
sa hutim…
isha Vjollcë
lule e tija

ah! Harroi të vriste kalimtarin
që do më shkilte në çeltinë pahiri.

34. ÇATIVE SI MACE

Me vdekjen time u ndesha
s’ishim parë moti
më paralajmëroi se do të më braktiste
një korb do ta merrte teksa bën dashuri
mua të lënën më la

Tash s’flas më me vdekjen time
do të trokas një ditë, më tha,
kur të më kenë harruar të gjithë

asokohe çative shetisja si mace e zezë
dhe u qesha
u qesha me një qeshje që s’ishte imja
posi shtrigat në përrallë
vdekja s’po trembej
e shkreta
atëherë kur t’i teket të më trokasë në derë
moti do të jem mësuar të harroj dhe të braktis.

35. VJERSHË PËR JONËN

Jona duhet jetuar
ndryshe shthurrjet do mbajnë erë
luleshtrydhe

e heshtën Jonën
i vinte era shi
era këngë
e tëra lirikë qe

ajo i di të gjitha:
e ha ndryshku botën
përfolen edhe yjet

I kujtohen drithërimat e mamkës
mbi bar të njomë
sa fort e deshi këtë fëmijë
bijën e një klithjeje të përshpirtshme

Jona i di të gjitha marritë:
ka parë dënimin e prindërve
në shtyllat e turpit
pse deshën të duajnë
dhe varrimin e tyre
në anët e kundërta të një muri kinez

klorofil i Botës është Jona
është edhe qepallë e lagur ngapak

ajo djeg vuajtjen
si Romën Neroni
vendlindjet janë djegur kaherë

mamka i jep frymë Jonës
Jonës që s’u formësua as në mitër
i vinte era shi
era dëshirë
jetoi në gjethe, në arna
në sythe lulesh kish shtëpinë
e përshtynë

Jona… ah, Jonë
Mos thuaj se s’të deshën prindërit!

36. PARADOKSE

Me vite thurra litarë durimi
Në përjetësi për t’u ngjitur

U shtanga në mes të udhëtimit
Pamundësia ngadhënjeu

Në litarin që me vite thurra
Të var a thua veten time?!

Apo të thurr mbase akoma paradokse
…kjo tani është çështja!!!

37. HIÇ MË SHUMË, EDVINË

Ti Edvinë je si poezia:
e vockël e madhe njëkohësisht

je më e bukura fjalë e buzëve të mia
unë s’flas motrush
të të nxjerr s’dua nga vetja

ma sjell detin përpara
për t’mi bërë netët poezi
bën dhe pak erë të krijosh valë
ti e di se shpirtin lë aty

je si poezia Edvinë
më rebelon më vdes më qesh

je poezi e hiç më tepër
vdes për natyrë pas shiut, të them
unë vdes nga natyra pas shiut, më thua

ti Edvinë prapë më acaron
je poezi Edvinë hiç më shumë

38. ***

E shita botën dje
më paguan sall një ëndërr të bukur
dhe ca këngë labe
dhe hiç më shumë

një rend i ri ekonomik:
ëndrrat ndërrohen me ndyrësira
që dinë vetëm të rrotullohen
kjo më pëlqen

e shita botën
për çudinë time
e bleu lypësja me kapotë roze
fundja kush ëndërronte më mirë se ajo!?

ma mësoi një këngë dhe qeshte
e saj ishte bota
e shita a ia fala s’e di
e ndërrova me një ëndërr të bukur
që zonja me kapotë roze
e shihte vetëm mëngjeseve
teksa unë e gjora
mendoja se ëndrrat e kishin lënë moti

bota u shit
zonja me kapotë roze po çmendet
s’u pajtua me gjumë pa ngjyra
të këndoj u mësova
tash do t’ia mbath
do vete pas ëndrrës

39. A THUA JETOJNË ATA QË S’TË NJOHIN?

Poezi,
ka gjëra që s’m’i zuri vargu
s’t’i thashë
po s’të kam gënjyer kurrë
kam vrapuar në inde vargjesh
ku lashë pjesë të vetes

e ti je foshnja ime që s’ngopet
me një lindje
je fëmija që më ngjan aq shumë

Të detyrohem poezi
Sot kur më shembin të gjithë
S’t’u ktheva gjithmonë
Ka net kur të mundi
Ime motër Linda
Më tërhoqi në një bisedë intime
Dhe unë e desha më shumë

ka gjëra që s’t’i thash
ka net kur të ika
dhe ti qe përherë aty

CIKLI I KATËRT:

Ishte dhjetor
por s’bënte ftohtë
vjershat s’ngrikan as në dimra të jashtëzakonshëm

40. NJË NATË NË DHJETOR

Si të të sjell sonte këtu
Në këtë festë ku kujtimet kërcejnë
Asgjë s’pipëtin
Ty s’të pëlqejnë ndejat e zhurmshme
Prandaj jemi vetëm unë dhe Mozarti
Shfaqet spektakli i vetmisë së madhe

Jemi vetëm unë dhe Mozarti
Ti mos u bën xheloz
Ai ka harruar si bëhet dashuri

Pse s’trazohesh të më vish?

Kur varëm veten
Kujtimet i patëm si shkëmb nën këmbë
I shqelmuam dhe… vdiqëm

Përvjetor të rëndë festoj
E s’di si të të sjell ty këtu
Tavolina bëri gati gjithçka
E vdekur shishja e verës mbi të

Unë s’pi pa ty
Mozartin e dehu pentagrami
E shpifur është vera
Kësaj nate kur marrosen kujtimet
Kur është mesi i dhjetorit
Kur bën ftohtë
Kur Mozarti i dehur dergjet në këngë
Kur ti s’je
Dhe jashtë bie Borë.

41. MË BIEN NDËRMEND DIMRAT

Ime mëmë bindshëm thotë
se më ka lindur në gusht
verë paskësh qenë atëherë
mua më kujtohen akujt përreth
dhe gjaku që më kish ngrirë në dej

nga fëmijëria mbaj mend vetëm sajën
kapelën dhe dorezat e kuqe
s’më bënin përshtypje lodrat
kukullave s’ia kisha fort ngenë

dy herë kam qarë me vaj kur qesh fëmijë:
kur s’dija të rrëshqisja
(s’u mësova dot)
dhe kur dielli i mëngjesit
ma shkriu dordolecin - veprën e tim ati

dy herë qava edhe më pastaj
kur qeshë e rritur
kur të desha ty
kur mbaroi dhjetori
kur lutesha të kishte dymbëdhjetë dhjetorë
në vit

borë bie edhe sot
por jo deri në bel
ngrinë mbrëmjet e qeta
Shkollën e largët mbulon

të mbulon dhe ty

42. TË IKËSH?

Përse duhet të ikësh
kur jashtë ulërijnë ujqit
kur kemi një gjysmë jete
pa u dashuruar
të ikësh përse?

43. PËRGJUMJE

Vjen ndonjë ditë paksa e kthjellët
me ty brenda
një ditë blerinë
gjumë bëmë i dashur përgjithmonë
gjumë të plumbtë
s’na vajti mendja të zgjohemi

na u përgjumën ditët pa i larë sytë
ëndërruam kroje të ftohta majëmali
ku s’ngjiten njerëzit…
shpirt
sa më vjen keq
që ishim njerëz dhe ne

CIKLI I PESTË:

Vjersha që s’i bëja dot më shkurt

44. Sërish kësaj nate mund të shkruaj vjersha

Kësaj nate mund të shkruaj vjersha
kur midis meje dhe Nerudës nis një garë
për vjershën më të trishtueshme
që ia kall datën dashurisë

ç’po ndodh me fjalët e mia?
ç’përndizen e tringëllojnë trishtueshëm?
Tmerrisht netë roze në mua
e Neruda bën gjoja e ka harruar
atë natë kur shkruante vjersha
tmerrisht të trishtueshme
ngrihet
ma ndez një flakaresh
poetët u egërsuakan (!)
o tani… tani do të shkruajë patjetër
e kujtoi vjershën
atë të asaj nate
mbase edhe vetë atë natë

Jemi në garë trishtimi
unë dhe Neruda
ai është nëna e trishtimit
unë babai
(gjinitë s’përputhen
s’ka rëndësi)
kësaj nate mund të ndodhë gjithçka
edhe tmerrisht e trishtueshmja…

Ka të ngjarë ta shikojë
me përbuzje vargun tim
e i butë mund t’i duket
çdo fjalë aty jam Unë
çdo pikë është trishtimi

“Kësaj natë mund të shkruaj vjersha
tmerrisht të trishtueshme…”
mbase ta kaloj dhe ty Nerudë
se edhe unë “kaq herë e pata puthur
nën qiellin e hapur”
kaq herë më pati shtrënguar në krahët-zjarr…
(po çmendem, Nerudë)

Të njejtën vjershë e shkruajmë të dy
nuk di nëse ka kuptim të garojmë
humbës jemi kahmot
që ditën kur humbëm dahurinë…

netët edhe më tej do të zgjaten
kërkoj ndjesë nga miku im Poet
që ia kujtova atë natë frymëzimi të trishtueshëm
ia kujtova vjershën
a bukuroshen me sy të mëdhenj…

(E di Nerudë?
imi ka sy të vegjël
“e si të mos i desha ata sy?”)

Tani jam vetëm si Dielli
pa një tjetër Diell për ta dashur
i denji im iku me të tjera
s’bëhem dot ti, Nerudë
t’i them dhimbjes ndal
ndal dhe rreshtave për atë që e desha

Nerudë,
të pata marrë për të çmendur kur…
mbase ke pasur të drejtë:
“Sa e shkurtër është dashuria, sa i gjatë harrimi!

Kësaj nate do të shkruaj vjersha patjetër
e Nerudës mbase ia kaloj
s’më pëlqen të jem më e trishtuara në atë dashuri

Vjershën ma trazon i treturi
më duhet të shkruaj trishtueshëm
posi im mik Poet

Jemi të njëjtë
humbës që të dy
më kot garojmë
(për disa orë do të na braktisë edhe kjo natë)
e pranoj se shtegtarin
gjithmonë e desha
e ai
herë pas here më pati dashur…

Neruda është më krenar
S’dorëzohet
e thotë ndryshe vjershën
tmerrisht të trishtueshme…

45. BËHU I MIRË

` Bëhu i mirë i dashur
ashtu si të rris në mendje
ashtu si zgjohesh damarëve të mi
dhe unë e nis një ditë me iluzione
narkozë që s’më lëshon assesi
e nis një ditë plot jetë
kjo do të thotë plot ti
një ditë që s’mbaron kurrë
as kur vrapoj rrëzohem rrokullisem
brenda jetës së shpifur
brenda pëshpërimave
dhe lutem të ndërrohet diçka në mua
a së paku le të ndërrohet diçka rreth meje
për shembull ndonjëra nga rrugët
ku eci përditë me veten fshehur në xhep
ndonjë tavolinë ku mbështes kokën dhe qaj
dërrasa s’kupton
të paktën s’di të pëshpërisë
herë më teket ta ndërroj Samirën
me një mike (shurdh)memece

Unë përditë rinis jetën
me forca të njëjta që kaluan në mua
nga i vetmi shikim yti
forca që zhduken mbrëmjeve
bashkë me ty;
unë shoh si lind e perëndon një gjë e
rrumbullakët
pa ndikuar asnjë grimë mbi mua
një puthje e çmendur e zhbën
brenda meje në çast
e unë kam mundësinë të qaj…
të qaj shumë
si rrjedhojë e energjisë së atij kontakti
të çmendur
të zhbërë

Bëhu i mirë i dashur
dhe s’do të kem asnjë ankesë
kur ti sundon indet e mia
bëhu i mirë shpirt e ndize këtë natë
me hirin e grumbulluar brenda meje
më ndez dhe mua
m’i ndërro ditët e lodhura prej makine
të lutem i dashur
bëhu i mirë!!!

46. SHTËPIA UTOPI

Buzëliqeni ndërtova shtëpinë tonë
Me kulmin vjollcë
Muret e kuqërremta
Kemi vetëm dhomën e gjumit
Shtratin e ngushtë
Ku mbrëmjeve ma tregon
Përrallën e vogëlushes së dashuruar
Në engjëllin që do të jetojë tri ditë në tokë

Unë qaj rishtas me këtë përrallë
Të futem më thellë në kraharor
Për të mos u lënë vend barrierave

Dielli na gjen të përqafuar
Gjumi s’ka guxim të na ndajë
Natën kemi ëndërruar njëri-tjetrin

Në përdhese na pret një kuzhinë
Një mesore me banjën e vogël
Dhomën e ditës e shndërruam në bibliotekë
Aty më pëlqen ta shkruaj poezinë
Teksa ti shfleton dokumente me vlerë

Ditën fare pranë liqenit bëjmë dashuri
Mjellmat mospërfillëse shëtiten
Valët tërbohen nga zilia
E pushtojnë bregun

Ka çaste kur zihemi për gjëra të kota
Ti ankohesh se poezisë i kushtoj më tepër vëmendje
Unë të akuzoj se këngën e do më shumë

Është koha të më vësh në gjumë
S’përdori nënkresë
(jam mësuar të fle në supin tënd)
Përralla fillon…

Gishtat në flokë t’i ndjej
Humbas në rrëfimin
Për vashën dhe engjëllin e dashuruar
Prapë qaj
Pyes nëse të duket histori e njohur kjo
E di që të mundon fundi i përrallës
As ty s’të pëlqejnë ndarjet e dhunshme

Kërkoj t’ia ndërrosh fundin
Ti prapë s’e bën
Më thua: ata jetuan dashurinë
Madje Ishin të lumtur
Jetuan (veç) tri ditë
Për t’u dashur gjithë jetën

Ndjej se po më zë gjumi
Në shtëpinë tonë
Dhe përralla më duket e njohur…

47. SHKATËRR

U bënë më shumë ditë
me vargmale malli
në gërshetin e sime bije
thura zymtësinë me të qarat bashkë
nga padija ia helmova ardhmërinë
një dashuri prej qelqi e pret andej
bukuroshen time sygështenjë

do ta jetoj jetën tënde, nënosh
më thotë teksa ia mbath çorapet
ajo s’e di se xhamaprerës nuk ka më
e vogla ime pranon të kujdeset
sijeta për një kornizë

ç’tmerr! Ajo dëshiron të jetë si unë
s’ka kuptim për dashuritë e qelqta
as për vargmale malli me vite të ndrydhur
…oh, po ajo s’të njeh as ty
s’të njoh as unë
u bënë shumë ditë
kaq herë i ndërruam kalendarët

ti shëtitësh në shtëpinë time
plasje më vjen
vetëm unë shoh si hyn e del
e atë pamje prej eleganti
Bëj ta mbyll derën
Të të lë jashtë
Përtej derës më duhet t’i derdh qelizat
E frymën ta bëj llambë sokaku

Pa turp në shtratin tim bashkëshortor
Vjen e shtrihesh mes meje dhe atij
Në kinomurin përballë shtratit
Ecën tërë natë shiriti i së djeshmes hutaqkë

Ç’më ngulfat ndërgjegjja!

CIKLI I GJASHTË:

Vjersha për ty Lindë, është cikël më vete
sikur qenia jote për jetën time

48. GJYSMAT BËHEN NJË, MOTRUSH

Nesër kur të jesh këtu
do t’ia thyejmë turrinjtë zbrazëtirës
s’të nis më puthje vizuele

nesër ti do të jesh këtu
më tepër se një ditë e aguar
më tepër se cicërimë zogu
se një mesazh telefonik
ti do vish, Linda ime
me sytë si nata
me buzëqeshjen si…
ah, ku ta gjej një krahasim?

ti do më vish, e bukura ime
me ajkë ndjenjash
në flatra pulëbardhe do më vish

nesër kur të jesh këtu
me më të bukurën e dashurive
ia thyejmë turrinjtë vetmisë

kudo gjysmat bëhen një nesër

se ti do vish
me këpucë me take numër 37
me dhëmbë kokrriza të vockla të bardha
me dashuri motre
me stinën e pestë
me botën e tërë…
eh, me ç’sende do më vish

eja, Linda!

CIKLI I SHTATË:

Vetmi, yt bir trishtimi po fle me mua sonte

49. KORBA UNË

Dashurinë e pata të madhe
Më kërkoi edhe një jetë tjetër për të jetuar
Kjo nuk i dilte

E gjora unë
S’munda t’ia fal as edhe një.

50. SIËNDRRA

Një pëllëmbë e ca ka mbetur Tetova
unë e di
ajo do zvogëlohet edhe më
tani kur ti s’je
tani kur vetëm korbat hyjnë në jetën time

ke harruar të lindësh mëngjeseve të mia
je po ai zanatçi harrese

Tetova u nis…
ti s’ke parë kurrë si zhduket një qytet
gëmadhat ma trembin vjershën

shpinën ta njoh mirë
në ikje të kam sharë sa herë
kam parë si shkoje pa zë
dhe si pas të ndiqte një qytet

51. KAQ SHUMË PRITJE

Kaq shumë pritje në një jetë jo të madhe
në një natë të bardhë dëshire
për trupin tënd të qielltë
kaq shumë imazhe të një qafe që lakmohet
bashkë me shenjëzat e vockla
bashkë me gjurmë dhëmbësh

kaq shumë pritje
në një dashuri tonën
të rrëmbyer nga kusarët gjithherë
të thithur deri në gjakosje nga vetë ne
në net pritjeje acarimi
epshi pa mbarim

52. TË KA HUMBUR TETOVA

Mirmëngjes,
jam unë
edhe sot mbijetova
mezi u mbajta për një mesazh telefoni

tani do ta bëj grimin
kundër dëshirës sate
pastaj do ta marr çantën dhe do nisem
në një ditë të zakonshme pa ty
do kthej kokën të të puth para daljes
ti s’do jesh
askurrë s’ke qenë aty
ndrydha gjithmonë dëshirën brenda

Tetova boshe prapë
të ka humbur
një ditë e gjatë
e gjatë…
pa fund
pa skaj.

Mbrëmjeve mbledhur kruspull
do rilexoj mesazhet e rralla
më pas do fle me të shpejtë
strukur mbi çarçafin e bardhë
për të mos u mundur nga të ftohtit
e mungesës sate
nesër do të zgjohem prapë
me një mirëmëngjes tjetër
me një dëshirë gjigante
për një mesazh telefonik
për një ditë më shumë jetë.

53. NUSËRIM

Kjo natë po bie erë ti
kjo natë po çmendet a po më çmend s’e di
kjo natë e harroi emrin e vjetër
kjo natë po më vdes
a po më rilind s’e di

kjo natë më mëson të harroj

54. Ç’U BË DASHURIA?

Qyteti më ha si qen
ti s’je
shtratin e kam dyshe
këndej fle unë
andej kokrrizat e pluhurit
natën më merret fryma
nga pluhurat që zgjohen
a nga ëndrrat erotike me ty

Tirana më kafshon si bushtër
thyer i kam rrugët sheshet zhurmëruese
kuptim ka vetëm një shtrat dyshe
midis Tiranës që ha

55. DASHURIA SOT

Sot dashurinë ma zë një kujtim i vogël
Po atë dashuri që s’ma zinin kohërat dikur

Si film më kalon para syve dashuria sot
Po ajo e vetmja
E madhja
E pakrahasueshmja
Ajo dashuri që s’ma zinte jeta

Sot dashurinë e fus brenda kujtimit
Po atë dashuri që s’ma zinte as puthja.

Sot dashuria e njeh edhe mortjen
Po ajo që s’u mësua të ngryset e tëra.

56. DUA TË KËNDOJ

Në qytet zhurmoj vetëm unë
erëra të trishta fryejnë i dashur
zhvishem ngapak prej vetes
dhe ndjej si qan një këngë
foshnja ime që pret të rritet

bonore e vetme jam në qytet
sepse ti ke ikur
sepse këtu s’ka sens për këngë

57. BALERINAT

Kohët si balerinë të flasin mësohen

me gjuhën e trupit

pas mpirjeve të gjata

pas muzës që e vras mbrëmjeve

për ta shkatërruar anën më të dhembshur

anën më të marrë të qenies sime – poezinë

kohët po flasin me alfabetin e trupave

posikur ne kur thamë Të dua

në aq shumë vjeshta

derisa i harruam fjalët përgjithmonë

58. KAQ

Humbje kohe s’ishe

Por as mik s’m’u bëre kurrë.

_________________________

Mama, ti po fle

sa gjëra te trishta më bien ndërmend

kjo botë ka funde

kur ti ndjek ëndrrat

unë jam një flutur nën shi

jam emri tjetër i asgjësë…

s’ka mundësi ta kesh harruar:

edhe e vogël kur qeshë

të lusja të mos flije

para se gjumi të më vidhte mua

karriget në errësirë s’më ngjanin në gogolë

po s’desha të flije

gjëra të trishta më binin ndërmend